Tensionet në Veri, Kurti: Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar, nuk do t’i tolerojmë..

Kryeministri Albin Kurti përmes një statusi në Facebook, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në Zubin Potok, ku u dogj Qendra e Regjistrimit, si dhe hedhjen e bombave mbi ndërtesën e Qendrës së Automjeteve në Zvecan.

Kurti këto sulme i ka vlerësuar si të qëllimshme, ndërsa ka fajësuar Serbinë për nxitje të incidenteve në veri të Kosovës.

Ai ka bërë të qartë se sulmet e këtilla dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen, ndërsa sipas tij, ky është provokim për “konflikt serioz ndërkombëtar”.

Ky është statusi i tij i plotë:

Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.

Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.